Edicioni i 44-të i Olimpiadës Ballkanike të Matematikës do të zhvillohet në datat 04-09 maj 2027 në Korçë, Shqipëri. Ekipi shqiptar ka të drejtën e përfaqësimit me një ekip prej 6 nxënësish (deri në klasën e 12-të) të shoqëruar nga një lider dhe zëvendës-lider.
BMO 2027 organizohet nga Shoqata Shqiptare e Matematikës. Në këtë veprimtari marrin pjesë 11 shtete zyrtare dhe të paktën po aq shtete me ftesë. Teza përmban 4 ushtrime me kohëzgjatje 4 orë e gjysmë në një ditë të vetme konkurrimi.
Pjesëmarrja bëhet me ftesë të Shoqatës Shqiptare të Matematikës bazuar në performancën në Testin Seleksionues. Vetëm nxënësit më të mirë në fazën e tretë të Olimpiadës Kombëtare të Matematikës 2026-27 kanë të drejtë të konkurrojnë në Testin Seleksionues.
Kjo do të jetë hera e tretë që Shqipëria mikpret këtë ngjarje (pas edicioneve BMO 2003 dhe BMO 2016). Me një pjesëmarrje prej të paktën tre dekadash, ekipi kombëtar numëron gjithsej 2 Medalje të Arta, 4 Medalje të Argjendta dhe të paktën 20 Medalje Bronzi.